Vrasësi serial i grave tenton arratisjen, si Dan Hutra hartoi planin me shokët e qelisë(Dinamika)

Rikthehet Dan Hutra, personi që tronditi gjithë vendin me aktin e tij barbar të vrasjes së femrave në seri brenda një dite.

Advertisements

I vendosur në masën e sigurimit personal të arrestit me burg, ai është transferuar në sektorin përkatës në burgun e Fierit, por ditën e djeshme ai ka tentuar arratisjen. Të dhënat janë bërë me dije nga vetë Drejtoria e Burgjeve që ka dhënë detajet dhe personazhet që kanë qenë në bashkëpunim me Hutrën në atë sipërmarrje të dështuar tashmë, të gjithë personazhe të njohur.

Policia e burgut dhe autoritetet mbikëqyrëse kanë ndërhyrë duke bërë të mundur zbulimin e aktit të arratisjes që në fakt ishte planifikuar të ndodhte në orët e mesditës, duke shfrytëzuar edhe kohën e drekës. Bashkë me Hutrën mësohet se kanë qenë të gjithë persona me masë arresti të njëjtë të cilët janë të arrestuar për aktin e vjedhjes dhe të grabitjes. Sipas Burgjeve mësohet se të paraburgosurit kishin nisur të prisnin zgarën e dhomës duke e tentuar arratisjen nëpërmjet çarçafëve.

Advertisements

NJOFTIMI I DREJTORISË SË BURGJEVE

Më datë 04.01.2024, rreth orës 11:25, në IEVP Fier, si rezultat i ndjekjes, mbikqyrjes, kontrollit dhe përdorimit të mjeteve teknike disa javore nga stafi i burgjeve, u kap në flagrancë duke tentuar për t’u arratisur i burgosuri me rrezikshmëri dhe histori kriminale, Dan Riza Hutra (autor i disa vrasjeve). Plani kriminal për arratisjen nga burgu ishte i koordinuar dhe në bashkëpunim me tre të paraburgosur të tjerë. Në dhomën ku ishin të akomoduar, të paraburgosurit kishin nisur prerjen e zgarës së dritares me mjete te improvizuara. Gjatë kontrollit nga punonjësit e sigurisë, u konstatua se edhe në dhomën nr. 15, ku ishte i akomoduar i burgosuri me potencial të lartë rrezikshmërie, Dan Riza Hutra, ishin fshehur mjete për arratisje, konkretisht: një çarçaf i përshtatur si litar dhe mjete prerëse të improvizuara. Të dhënat paraprake tregojnë për bashkëpunim ndërmjet të katër të burgosurve, për thyerje të sigurisë dhe tentativë arratisje. Prokuroria është duke kryer hetime për ngjarjen. Të përfshirë në këtë ngjarje janë:

1. Shtetasi Dan Hutra, i biri Riza dhe Mislime, i datëlindjes 01.08.1982, lindur në Kukës dhe banues ne Kodër Kamëz, Tiranë, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, me histori të përsëritur kriminale, me Vendimin Nr.466 Regj.Them, datë.04.03.2023, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale, “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, parashikuar nga neni 79/c, “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 79/c-22, si autor i dyshuar për vrasjen e katër personave.

2. Shtetasi Martin Kapllani, i biri i Adhurim dhe Rezarta, i datëlindjes 24.12.2003, lindur dhe banues në Vlorë, me Vendimin Nr.62-2023-4189, datë 04.11.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, i është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja”, e parashikuar nga neni 134/2 K.Penal.

3. Shtetasi Geraldo Veizaj, i biri i Barjam dhe Luiza, i datëlindjes 04.07.2004, lindur dhe banues në Vlorë, me Vendimin Nr.62-2023-4189, datë 04.11.2023, të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, i është caktuar masa e sigurimit personal “arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vjedhja”, e parashikuar nga neni 134/ 2 K.Penal.

4. Shtetasi Feti Kovaçi, i biri Arben dhe Dëshira, i datëlindjes 20.02.1996, lindur dhe banues ne Vlorë, Lgj. “24-Maji”, me shtetësi dhe kombësi shqiptare, i ardhur më datë 21.10.2023, nga Komisariati i Policisë Vlorë, pasi ndaj tij Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë me (Shkurtim-Vendimi) Nr.476, datë 21.10.2023, ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhja”, e parashikuar nga neni 134/ 2 K.Penal. Stafi i sigurisë ka kryer kontrolle të hollësishme të elementëve të sigurisë, në të gjithë burgun. Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, përgëzon stafin e Institucionit të Ekzekutimeve të Vendimeve Penale Fier, që falë profesionalizmit dhe devotshmërisë kanë ndaluar arratisjen e një të burgosuri me rrezikshmëri të lartë për publikun dhe sigurinë në përgjithësi. Gjithashtu, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, garanton se stafi i shërbimit të burgjeve është në krye të detyrës, më i motivuar se kurrë për të parandaluar çdo ngjarje dhe rrezik për rendin, sigurinë dhe komunitetin.

JETA E ERRËT E DAN HUTRËS

Në fillimin e marsit të vitit që lamë pas, Dan Hutra, me një sipërmarrje prej killer serial mori armët dhe doli nëpër Tiranë. Për pasojë tri gra humbën jetën mizorisht dhe 3 të tjera u plagosën në tri ngjarje të ndryshme në Tiranë. Duke shënuar ndoshta kështu, ditën me rekordin më të zi të vrasjeve të grave në Shqipëri, të paktën në 30 vitet e fundit. Të tria ngjarjet i lidh i njëjti emër, Dan Hutra, një ish-i dënuar për vrasjen e gruas në 2007. Vrasja e parë ndodhi në orën 12:30 të mesditës në Kodër Kamëz. Autori i masakrës me dy të vrarë dhe dy të plagosur, sipas policisë, është Dan Hutra. Një person me precedentë të shumtë penalë, i cili sapo ishte liruar nga burgu. Por mesa duket ai nuk kishte reflektuar pas krimeve të rënda që kishte kryer. Pasi ai thuhet se u kthye sot në oborrin e bashkëjetueses së tij të dytë, kreu këtë herë një masakër.

Ai vrau në oborrin e ish-bashkëjetueses së tij, Elena Hysa, motrën e kësaj të fundit, Mevlute Hysa, 30 vjeç. Si dhe la të vdekur të fejuarën e vëllait të ish-partneres së tij, Hasime Dafku, po 30 vjeç. Po kështu ai la të plagosur edhe Kujtime Hysën, nënën e ish-bashkëshortes së tij si edhe gruan e tij, Elena Hysa. Çifti thuhet se jetonin në kryeqytet dhe ishin martuar me mblesëri vetëm 8 muaj para ngjarjes së rëndë. Ngjarja erdhi pas dhunës që ky i fundit ushtronte vazhdimisht ndaj saj. Dan Hutra që siç theksuam edhe më herët ishte një person me rekorde të pafundme kriminale në familje. Pasi në vitin 2007 ai rezulton se kishte vrarë me thikë, bashkëshorten e tij të parë, ngjarje e ndodhur në Kukës. Siç u raportua, ai goditi 2 herë me thikë në zemër bashkëshorten Dafina Havalja, në atë kohë vetëm 25 vjeçe. Por ky duket se nuk ishte veprimi i parë i dhunshëm që Dan Hutra kishte kryer brenda familjes. Pasi ai thuhet se para se të martohej me Dafina Havaljan, ai ishte dënuar për heqjen e lirisë së nënës dhe kunatës së tij dhe tentativën për përdhunimin e tyre, krime për të cilat thuhet se kreu vetëm 3 vite heqje lirie.

Ndërsa u kthye sërish në qeli në vitin 2007 si vrasës i bashkëshortes së tij të parë, krim të cilin e pranoi edhe para gjykatës. Ai tha se ishte ai vrasësi i gruas së tij, Dafinës, për të cilën deklaroi se e kishte goditur me thikë pasi ishin grindur dhe se gjithçka e kishte bërë pa vetëdije. Po ndërsa u konsumua krimi i parë në Kodër Kamëz, po ditën e sotme, jo shumë larg vendit të kësaj ngjarje, një tjetër vrasje tronditi këtë herë opinionin publik. Edhe në këtë rast viktimë u bë një grua. Ajo rezultoi të jetë Etleva Kurti, e cila u qëllua brenda oborrit të banesës së prindërve në Kamëz. Etleva Kurti është motra e Vladimir Kurtit, i cili po vuan dënimin për vrasjen e biznesmenit Agim Buci dhe plagosjen e gruas së tij, gjatë një tentative për grabitjen e një marketi. Para se policia të dyshonte te Dan Hutra, ishte i dënuari Vladimir Kurti në një bisedë të zhvilluar me gazetaren Klodiana Lala që akuzoi 40-vjeçarin si autor të dyshuar të krimit.

Ai tha se; “Kemi pasur përplasje në burg me të. Ishte tip agresiv. Ai kishte paguar dy tre herë për të vrarë motrën por e kanë refuzuar… ka tentuar të më vrasë edhe mua në burg, edhe motrën time”. Po ndërsa zhvilloheshin këto ngjarje të njëpasnjëshme, Hurta, mendohet se ditën e sotme para se të merrte armën dhe të kryente këto krime, dyshohet se ka lënë të plagosur edhe të dashurën e tij. Ngjarje ndodhi mëngjesin e sotëm në zonën e Astirit në kryeqytet. Burime të policisë bëjnë me dije se e reja është paraqitur me plagë thike në spital, ku ka marrë mjekimin e parë. Ndërsa Dan Hutra u arrestua 6 orë pas arratisë së tij, në zonën e landfillit të Sharrës.

Artikulli paraprakU vra nga vëllai dje në Fresk, del fotoja e Lulëzim Camit
Artikulli tjetërNuk i pritën mirë deklaratat e saj për vajzat e Instagramit, Dojna Mema iu përgjigjet publikisht