Përfundojnë hetimet për Vangjush Dakon, ish-kryebashkiaku i Durrësit akuzohet për shpërdorim detyre

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako. Dako akuzohet për “shpërdorim të detyrës” dhe akuza do t’i komunikohet gjatë ditës së sotme.

Advertisements

Në të njëjtën dosje janë edhe 11 persona të tjerë. Vetëm për njërin prej tyre, Meri Semini, SPAK ka kërkuar pushim të çështjes.

“Në përfundim të hetimeve paraprake Prokuroria e Posaçme ka paraqitur në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, kërkesën për dërgimin në gjyq të çështjes penale në ngarkim të të pandehurve si më poshtë: Vangjush Dako, me detyrë ish Kryetar i Bashkisë Durrës, i akuzuar për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, e kryer në bashkëpunim parashikuar nga nenet 248 dhe 25 i Kodit Penal, e kryer dy herë”, thuhet në njoftimin e organit të akuzës.

Advertisements

SPAK njoftim zyrtar për arrestimin e Dakos: Tenderi për shëtitoren në Durrës, tarifa e studimit dhe vlera e fondit limit u llogarit 10 herë më e lartë

A2 CNN siguron dosjen e SPAK ndaj ish-kryebashkiakut të Durrësit, Vangjush Dako
Kujtojmë se muajin e shkuar, Dako ka kërkuar lirinë në Gjykatën e Lartë duke i bërë rekurs vendimit të Apelit të Posaçëm, që e la në masën e sigurisë “arrest në burg”.

Dako u arrestua më 6 qershor me urdhër të SPAK, nën dyshimin se ka shpërdoruar detyrën në dy raste. E para në lidhje me dhënien e lejes së ndërtimit të një pallati shumëkatesh dhe plotësimin e dokumentacionit të tij deri në regjistrimin e pasurisë.

“Në përfundim të hetimeve paraprake të këtij procedimi ka rezultuar se gjatë miratimit dhe zbardhjes/protokollimit të lejes së ndërtimit, të miratuar me vendimin e Këshillit të Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë Durrës Nr.02 datë 28 Shtator 2011, në favor të Shoqërisë “Fakle sh.p.k”, janë kryer veprime në kundërshtim me kompetencat e Kryetarit të Bashkisë dhe nëpunësve të Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, të parashikuara nga Ligji Nr.8652, datë 31 Korrik 2000 “Për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore” dhe Ligji Nr. 10 119 datë 23 Prill 2009 “Për planifikimin e territorit” dhe aktet nënligjore të dala në zbatim të tij, të cilat konsistojnë në protokollimin/zbardhjen e lejes së ndërtimit në datën 14 Tetor 2014, dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë.

Pas zbardhjes së lejes së ndërtimit, janë hartuar në mënyrë fiktive dhe të gjithë dokumentet që përpilohen dhe administrohen nga subjekti ndërtues dhe zyrtarët e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Territorit, duke hartuar dokumentet përkatës për të gjitha fazat në të cilat ndodhej ndërtimi, ndërkohë që është provuar me prova si pyetje e dëshmitarëve dhe ekspertimi përkatës, që ndërtimi i pallatit kishte përfunduar që në vitin 2012 dhe ishte i banueshëm. Në këtë mënyrë, është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga Bashkia Durrës”, konstaton SPAK.

Ndërkohë, çështja e dytë lidhet me procedurën e prokurimit “Shërbim konsulence” për sigurimin e projektit për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila, me fond limit 21milionë lekë. Sipas SPAK për projektin e zhvillimit të vijës bregdetare vlera e tenderit është 10-fishuar.

“Në vitin 2014 Bashkia Durrës ka kryer një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”. Me Urdhrin Nr. 84 datë 11 Shtator 2013 protokolluar me Nr. 4151 Prot., në të njëjtën datë, është ngritur komisioni për caktimin e specifikimeve teknike. Ky grup është ngarkuar me detyrën për të përgatitur: detyrën e projektimit, fondin limit, termat e referencës si dhe te gjitha specifikimet teknike për këtë procedure prokurimi.

Nga ana e anëtarëve të Komisionit të ngritur nga Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako, janë kryer gabim llogaritjet e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 444 datë 05 Shtator 1994 “Për tarifat e studimit, projektimit, drejtimit dhe kolaudimit të veprave të ndërtimit”.

Kryetari i Bashkisë Durrës, i pandehuri Vangjush Dako ka nxjerrë urdhrin e prokurimit pikërisht me vlerën e llogaritur nga Komisioni, ndërkohë që pasi është lidhur kontrata duke u nisur dhe nga përmbajtja e saj, është bërë pagesa vetëm për 60% të vlerës totale.

Edhe pas bërjes me dije nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, në Akt Kontrollin përkatës të Muajit Qershor 2015, në lidhje me gabimin e bërë nga Komisioni dhe nga Titullari i Autoritetit Kontraktor, duke lënë rekomandim që të rikuperohet dëmi ekonomik i shkaktuar deri në atë fazë, Bashkia Durrës dhe administrata përkatëse ka vijuar me pagesën e këstit të dytë prej 40% të vlerës totale të kontratës në muajin Dhjetor 2015, ndërkohë që e gjitha vlera e paguar më tepër prej 18.318.400,2 lekë, është pasqyruar në pasqyrat financiare të Bashkisë Durrës, si një dëm ekonomik dhe detyrim që shoqëria përfituese i ka kësaj Bashkie prej vitit 2016 e në vijim.”

Artikulli paraprakBabai nxori vajzën në pritë, ja sekreti i rrëmbimit të 14-vjeçares në Shkup
Artikulli tjetërVijon me tensione situata në Kuvend, plasin shashkat dhe tymueset