Federata Shqiptare e Futbollit ka përzgjedhur kampin bazë ku do të stacionohet Kombëtarja kuqezi gjatë ditëve të qëndrimit në Gjermani për finalet e Euro 2024. Departamenti i Komunikimit në FSHF bën me dije se qendra quhet “SportCentrum Kaiserau”, një kompleks nga më të mirët në Gjermani për ekipe sportive, që gjendet në afërsi të Dortmundit.
Advertisements
Qendra stërvitore është e specializuar për grumbullime dhe faza përgatitore të skuadrave dhe ka eksperiencë të pasur, pasi aty janë grumbulluar për faza përgatitore apo për turne në të kaluarën ekipet kombëtare të Gjermanisë, Brazilit, Spanjës, Bregut të Fildishtë apo klube si: FC Bajern Mynih, Real Madrid, FC Liverpool, FC Porto, Borusia Dortmund, Schalke 04, Valencia, etj.
24 orë para çdo ndeshjeje ekipi kombëtar do të transferohet në qytetin ku do të luhet dhe pas ndeshjes do të kthehet përsëri në kampin bazë për të vijuar përgatitjet. Bëhet fjalë për një qendër ekselence sportive që ofron të gjitha kushtet e duhura, duke përmbushur kërkesat e stafit teknik.
Advertisements
Trajneri Silvinjo dhe stafi i FSHF-së vizituan dy ditë më parë lokacionet e sugjeruara nga UEFA dhe më në fund pas një pune këmbëngulëse arritën të sigurojnë shërbimet e kësaj qendre stërvitore. Kampi bazë i Shqipërisë është përzgjedhur në një lokacion që ka pranë 6 prej 10 stadiumeve që do të presin ndeshjet e turneut.