Gjykata e Posaçme për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar vendosi me kërkesë të SPAK-ut caktimin e masës së sigurisë “Detyrim paraqitje” dhe “Ndalim i daljes jashtë shtetit” për ish-ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Vendimi vjen pas hetimit për çështjen e sterilizimit dhe është marrë të enjten më 16 Nëntor. Një ditë më vonë, më 17 Nëntor, masa e sigurisë është ekzekutuar nga BKH-ja dhe policia.
Advertisements
Por për çfarë akuzohet ai?
Ilir Beqja rezulton se ka pasur miqësi dhe njohje me biznesmenin që fitoi koncesionin, por edhe disa udhëtime dhe shkëmbime mesazhesh, por që i kishin fshehur. Për koncesion e sterilizimit me vlerë afro 100 mln eurosh u arrestuan edhe ish zv/ ministri i Shëndetësisë Klodian Rjepaj dhe biznesmeni Ilir Rrapaj si dhe 6 zyrtarë janë nën hetim në gjendje të lirë. Sipas SPAK “kontrata koncesionare ka fryrë kostot me 56.4% krahasuar me sektorin publik”.
Advertisements
Gjatë hetimeve është sekuestruar posta elektronike e biznesmenit Ilir Rrapaj e mes tyre janë dhe dy e-maile që ky i ka dërguar zv/ministrit Klodian Rjepaj në shkurt dhe mars të vitit 2014, përmes së cilave i dërgon dy studime të universitetit të Peruxhias, që u përfshinë më pas në studimin e fizibilitetit.
Në email duket raporti i ngushtë miqësor mes tyre, një raport i cili ka nisur që në auditoret e fakultetit. “I dashur Fra’! Ky është teksti që të paralajmërova, për të cilin Vanesa më shkruante. Hidhi një sy dhe na çoni haber. Shpresoj të të ketë lëshuar sadopak dhimbja e veshit tanimë” i shkruante Rrapaj, zv.ministrit Rjepaj. Në të njëjtën ditë, më 17 mars 2014, zv.ministri ia pason emailin shefit të tij, ministrit të atëhershëm Ilir Beqaj në emailin zyrtar dhe atë privat.
Në vlerësimin e argumentuar në dosjen prej 348 faqesh, Gjyqtari i GJKKO-së Erjon Bami arsyeton se ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, në bashkëpunim me personin në hetim, Klodian Rrjepaj e kishin marrë vendimin e dhënies së shërbimit të sterilizimit me koncesion dhe kishin përzgjedhur paraprakisht se kush do ta fitonte këtë koncesion…” duke shtuar se fituesit e paracaktuar ishin Ilir Rrapaj dhe ortaku i tij shtetasi Italian Umbro Staccini.
Gjithashtu thuhet se 52 ditë para se Ilir Beqja dhe administratori i kompanisë koncesionare “Sani Service” Admir Daca, të firmosnin kontratën koncesionare, Beqaj u ka dërguar një e-mail Klodjan Rrjepaj dhe Milva Ekonomit. “…ju lutem ndiqni me përparësi përgatitjen e kontratave për PPP respektive…”- u shkruan Beqja dy zv/ministrave, datën 11 Tetor 2015, vetëm një muaj pasi Beqja kishte shpallur fitues firmën e mikut të tij, Ilir Rrapaj.
Një E-Mail tjetër, sipas dosjes, që implikon Beqjan në paracaktimin e këtij koncesioni është në datën 26 Tetor 2015, kur ende nuk ishte lidhur kontrata. Në dosjen e SPAK thuhet se përmes komunikimeve midis Rrjepajt dhe Beqajt del qartë se ishin në dijeni të fituesit të koncesionit, pikërisht të njerëzve që ata kishin takuar në Itali dhe më të cilin kishin pasur komunikime të vazhdueshme, duke dalë së bashku jashtë shtetit.