Bisedat në “SKY ECC” zbuluan planet e Ervin Matës për ekzekutimin e biznesmenit nga Lezha! Grupi kriminal në shënjestër edhe dy vëllezër në Angli, ja roli i Nuredin Dumanit

Referuar të dhënave të dala nga grupi hetimor bëhet me dije se 11 personat që janë në listën bërë publike ditën e djeshme kanë bashkëpunuar në 6 episode kriminale.

Advertisements

Janë pikërisht këto episode që përbëjnë edhe akuzat ndaj tyre. Sipas informacioneve që pasuan operacionin ku u vunë në pranga policë dhe dy persona që pretendohet se kanë role kyçe në trafikun ndërkombëtar të drogës, bëhet me dije se i gjithë aktiviteti kriminal lidhet me trafikimin e ngarkesave të kokainës nga vendet e Amerikës Latine drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Ndonëse SPAK nuk dha asnjë mekanizëm se si ka operuar grupi, edhe pse i quajti grup kriminal, mësohet se në krye të këtij grupi janë pikërisht Ervin Mata, një emër jo pak i lakuar në qarqet e krimit në vend dhe 52- vjeçari, Bujar Ajeti, nga Kukësi. Ndonëse Mata u përfshi në një nga ngjarjet më të rënda të ndodhura në Tiranë, ku në mes të lokalit të tij u vra një djalë i ri, teksa u tha se Ervis Martinaj shkoi të kryente një bisedë, ndodhi edhe vrasja e njërit prej djemve që e shoqëronin Martinajn, ai nuk u arrestua.

Advertisements

Aso kohe u bë me dije se gjithë grupi i tij, pra i Matës ishin të armatosur në vendin ku do të kryhej biseda, ndërsa brenda u krye edhe një pengmarrje, që policia dhe prokuroria kurrë nuk e zbardhën atë ngjarje, duke i lënë të iknin në drejtim të paditur sot e asaj dite disa prej protagonistëve. Por nga komunikimit që kanë sjellë autoritetet franceze dhe belge, mësohet se është hedhur dritë edhe mbi dy tentativa vrasjesh. Bëhet fjalë për dy vëllezër por edhe për një biznesmen.

Sipas të dhënave, bëhej fjalë për një biznesmen ndërtimi nga Lezha, ndërsa në këto komunikime kanë dalë pikërisht Ervin Mata dhe Bujar Ajeti. Por SPAK po vijon verifikimet pasi në këto biseda gjendet edhe i penduari i tyre, Nuredin Dumani, i cili dyshohet se ka qenë edhe pjesë e skemës për të shkuar tek shënjestrat e tyre.

POLICËT DHE KUKSIANËT

Në reagimin e saj, Prokuroria nuk bën me dije asnjë të dhënë për personat që janë në pranga dhe në kërkim. Por ajo që bie në sy në atë listë është emri i Bujar Ajetit, i njohur më herët si Bujar Gërmizi, nga Kukësi, 52 vjeç.

Ajeti, i cili më herët ka qenë pjesë e forcave të armatosura, u tha se u përfshi në një grabitje banke në Kukës, bankë të cilën e ruante vetë. Rrugës për në Has, ai u përball me policinë dhe në një shkëmbim zjarri u plagos por mundi të largohej, për tu kthyer kështu sot e asaj dite në një emër proverbial të krimit, në qytetin që gjeneron më pak krim se qytetet e tjera të vendit.

Ajeti bashkë me personat e tjerë, përfshi edhe një të kërkuar që është nga Vlora, mësohet se janë jo vetëm të përfshirë në trafikun e drogës por ata kanë tentuar të kryejnë edhe një vrasje të dyfishtë. Është ky episodi që implikon shefin e krimeve të Komisariatit nr.6, Dedan Gjonin, lezhjanin që gjendet në radhët e policisë prej rreth dy dekadash.

Po në këtë episod, dyshohet se është përdorur edhe oficerja e Kufirit, e cila më herët ka qenë në skuadrën e Interpolit, e dyshohet se ka dhënë informacion për vendndodhjen e dy vëllezërve që ishte planifikuar të vriten. SPAK nuk bën me dije se në çfarë kohe ka ndodhur kjo tentativë, por mësohet se të gjitha të dhënat e dosjes që tashmë është formuluar kanë ardhur nga agjenci të huaja ligjzbatuese!

Artikulli paraprakOBSH: Vetmia shpallet një problem shëndetësor global
Artikulli tjetër“Personazhet janë ndërthurur me botën perëndimore të krimit”, analisti i njohur bën paralajmërimin: Në përgjimet e “Sky ECC” të përfshirë edhe emra nga media e drejtues portalesh