Vdekja tragjike e vogëlushes 7-vjeçare në Himarë, reagon Mirela Kumbaro dhe tregon çfarë po përgatisin

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka reaguar për vdekjen tragjike të 7-vjeçares Jonada Avdia në Himarë.

Advertisements

Ajo jetonte në Angli me familjen e saj shqiptare, por u godit për vdekje nga helika e një skafi, të drejtuar nga një oficer policie, Arian Tase, kur ajo po luante me të atin në zonën ekskluzive të notit, në një plazh në Himarë.

“Kemi të bëjmë me një ngjarje ku një person krejt i papërgjegjshëm ka thyer çdo ligj dhe rregull duke tejkaluar kordonin e sigurisë dhe bërë manovra të rrezikshme, i cili meriton ndëshkim maksimal,” tha për DW, ministrja e Turizmit dhe e Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Advertisements

Megjithatë arrestimi i autorit të incidentit dhe shkarkimi i menjëhershëm nga Policia e Shtetit i 15 punonjëve të policisë lokale, që duhet të ruanin plazhin, nuk e kanë ulur shqetësimin e qytetarëve për sigurinë e jetës. Krahas luleve dhe qirinjve në kujtim të vogëlushes së vrarë, protestuesit kërkojnë drejtësi dhe përgjegjshmëri nga institucionet shtetërore.

Ngjarja kriminale, ku humbi jetën Jonada Avdia, është paraprirë muajin e kaluar nga 2 incidente të tjera, që fatmirësisht nuk shkaktuan viktima. Sipas burimeve zyrtare në korrik të këtij viti, në plazhin e Jalës, po në bashkinë e Himarës, një çift të rinjsh u goditën nga një skaf që lëvizte me shpejtësi në det, drejtuesi i së cilit humbi kontrollin e tij. Skafi përfundoi në breg dhe goditi çiftin e të rinjve, njëri prej të cilëve u shtrua në spital prej plagëve të rënda. Një fëmijë në plazhin e Vlorës u godit në breg të detit nga një skaf dhe mori mjekim në spital.

“Ne po bëjmë gati paketën e rregullave të reja për normimin dhe bashkërendimin e aktiviteteve turistike detare. Kemi kërkuar nga Policia e Shtetit dhe Policia Kufitare monitorim të rreptë të hapësirës ujore në plazhe si edhe ndëshkime maksimale për kundravajtësit”, thotë ministrja Kumbaro.

Artikulli paraprakPlagoset personazhi i shumëpërfolur i showbizzit shqiptar, arrestohet një 22-vjeçare si e dyshuar
Artikulli tjetërDoli për peshkim por u mbyt, gjendet trupi i pajetë i 14-vjeçarit të zhdukur në Seman