Krimi në familje, bashkëshorti vrau me thikë gruan e tij në Elbasan, arrestohet dhe vëllai i viktimës

Qyteti i Elbasanit është tronditur mëngjesin e së shtunës teksa një grua u gjet e vdekur në banesën e saj në lagjen “Skënderbeu” të qytetit. Sipas informacioneve policore, e ndjera Jetlira Elezi, 37 vjeçe, ndërroi jetë pasi u godit me thikë nga bashkëshorti i saj Ramiz Mici, 37 vjeç. Të dy kishin patur konflikte të vazhdueshme dhe mendohet se xhelozia ka qenë shkaku i krimit makabër. Autori është larguar me shpejtësi pas ngjarjes së rëndë, por pas gati 24 orësh Mici u prangos në distancë 250 m nga shtëpia me qira ku jetonte me gruan e tij. Ai u pikas nga qeni i policisë në shtratin e përroit të Zaranikës, afër Doganës së Elbasanit. Vrasësi do të gjykohet për veprën penale “Vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare”. Nga ana tjetër, uniformat blu kanë prangosur dhe vëllain e viktimës Jetlira Elezi, Sokol Elezin. Në rrjetet sociale, ai u betua për hakmarrje me 4 vrasje ndaj familjes së Ramizit.

Advertisements

Policia: Jetlira kërkoi urdhër-mbrojtjeje në 26 korrik, rrinin ndarazi në apartamente
Pavarësisht se kishte bërë kërkesë për urdhër mbrojtjeje, e ndjera Jetlira Elezi nuk ishte pajisur me këtë masë nga Gjykata e Elbasanit. Në njoftimin e bërë publik dje nga Policia e Elbasanit, bëhet me dije se viktima u paraqit në komisariat në datën 26 korrik për të denoncuar bashkëshortin Ramis Micin për konflikt familjar. E ndjera tregoi se burri i saj i theu telefonin pas konflikteve për motive xhelozie.

Më pas, Mici u shoqërua në polici. Gruas të tij iu kërkua të bënte kallëzim për dhunë në familje, por ajo refuzoi duke kërkuar vetëm të merrte urdhër mbrojtjeje. Pasi i është bërë e ditur situata, Ramis Mici është lënë i lirë teksa qëndroi 10 orë në komisariat. Një ditë më pas, Jetlira është paraqitur në Forumin e Gruas në Elbasan pa shfaqur probleme apo shqetësime emocionale. Në datën 29 korrik, Mici dhe gruaja e tij janë kontaktuar nga Policia e Elbasanit dhe në dukje nuk kanë dhënë shenja nervozizmi mes tyre. Madje, ata kishin firmosur për t’u ballafaquar në gjyq lidhur me kërkesën e Jetlira Elezit për t’u pajisur me urdhër mbrojtjeje.

Advertisements

Nga ana tjetër, Drejtoria e Policisë së Elbasanit bën me dije se pas datës 26 korrik, burrë e grua kanë qëndruar në apartamente të ndara, megjithatë kjo mbetet për t’u verifikuar. Megjithatë, ende është e pashpjegueshme se si arriti Ramis Mici deri në aktin makabër të vrasjes me thikë të gruas të tij.
E kaluara e çiftit, vinin nga martesa të dështuara dhe me fëmijë

Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mëngjesin e së shtunës, mediat zbuluan se autori i vrasjes dhe viktima ishin të divorcuar nga martesat e mëparshme dhe kishin nga secili nga 2 fëmijë. Mësohet se fëmijët e Ramis Micit iu kaluan nën kujdestari ish-gruas së tij. Mici jetonte me Jetlira Elezin në një shtëpi me qira në lagjen “Skënderbeu” prej 2 muajsh bashkë me vajzën e Jetlirës. Në momentin e ngjarjes, viktima 37-vjeçare e kishte dërguar të bijën te familjarët e saj. Për sa i përket punës që ata kryenin, mësohet se Ramis Mici merrej me përpunimin e gipsit, ndërsa Jetlira në një “Fast Food”.
Dëshmitë e pronarëve: Dëgjuam derën të përplasej, dhoma e mbuluar me gjak

Çifti i pronarëve të banesës ku jetonin me qira Ramis Mici dhe Jetlira Elezi tregojnë për mediat pas ngjarjes se nuk e kanë idenë se çfarë konflikti kanë pasur autori dhe viktima mes tyre. Pronari i banesës, Xhafer Zdrava tregoi se ata u zgjuan nga zhurma e përplasjes së derës të banesës ku rrinin me qira çifti. Më pas, ai dhe gruaja e tij Lemia, panë të dilte nga shtëpia Ramis Micin në orën 00:50. Pasi kanë gjetur derën të hapur, Xhaferi hyri në banesë dhe pa Jetlira Elezin të vdekur dhe me gjakun të shpërndarë në të gjithë dhomën. Gjithashtu, ai shtoi se viktima u kishte treguar më herët se ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje, por vetë nuk janë të sigurt nëse kjo ishte e vërtetë.

“Ne ishim në gjumë, por u përplas dera dhe u zgjuam. Ishte ora 1 pa 10 (00: 50), u hap dera dhe e pamë që ai doli rrugës me hapa të ngadaltë. Më thotë gruaja që dera ishte hapur. Ajo ishte e vdekur në mes të dhomës kishte gjak në gjithë dhomën. Mora policinë në telefon, erdhi policia bëri punën e vet. Se për çfarë u zunë, nuk e dimë. Erdhi edhe më parë policia para 3-4 ditësh, se ajo ishte ankuar se ai e kishte rrahur. Mori të shoqin, i vuri hekurat. Ajo i kishte thënë gruas se kam urdhër mbrojtje, a kishte ajo ne nuk dimë gjë?!

Ai ka bërë debate!”, tregoi pronari i shtëpisë ku jetonin me qira Ramis Mici dhe Jetlira Elezi, Xhafer Zdrava. Ndërkohë, gruaja e tij tregoi për mediat se viktima kishte urdhër-mbrojtje nga gjykata. Ajo tregoi se në 26 korrik Ramisi dhe Jetlira kishin debatuar mes tyre, por përpara kësaj date, nuk ka qenë në dijeni se çfarë mosmarrëveshjesh kishte çifti. “Vetëm para 5 ditëve. Nuk di gjë. Sa kanë ardhur tek unë, nuk dimë gjë. Kishte urdhër-mbrojtje që para 4-5 ditësh që kur kishte një debat më para. Më para, nuk kam dëgjuar debat mes tyre. Ato nuk kishin mbushur 2 muaj këtu, unë isha në gjumë u tremba. Përplasi derën ai. Atëherë u zgjuam ne u trembëm”, deklaroi për mediat Leme Zdrava.
Arrestohet dhe vëllai i viktimës, u përbetua se do të vriste 4 persona familjes së Micit

Pas krimit të rëndë, policia e Elbasanit prangoi dhe vëllai e viktimës, Sokol Elezin. Ai kishte publikuar një mesazh në rrjetet sociale duke sulmuar vrasësin e motrës së tij si dhe duke u betuar se do t’i vriste 4 pjesëtarë të familjes së Ramis Licit, për 4 plagët vdekjeprurëse të shkaktuara në trupin e Jetlira Elezit. Sokoli u përbetua se do të vriste vetë ish-burrin e motrës së tij dhe fëmijët e autorit të krimit makabër. “U prehsh në paqe o Ramiz Mici! U prehtë në paqe familja jote dhe fëmijët e tu. Po ju them juve, u prehshi në paqe se s’mund t’ ja them motrës time qe ti i ngule thikën sot. Po jua them juve si familje, sepse pa ti vrarë 4 pjesëtar të familje, as te varri s’kam për ti shkuar nëse s’ ju vrasë. Ke 4 njolla gjaku këtu në foto. Që këto 4 njolla gjaku, që ti i derdhe nga motra ime. Dua 4 koka nga familja jote.

Vrapo ti, arratisu ti, po mor po. Po dua ta di se për sa kohë do vraposh, familja jote do përgjigjet me gjak e me kokë robi nga unë personalisht o ti ******! Do e marr hakun i vetëm unë mor ********! Vrapo ti po, ky gjak që është derdhur këtu, është i imi, mor ****! I hidhur apo i ëmbël, është i imi. Fiksoje këtë datën e sotme, se të afërmit e mi po vuajnë të gjithë nga ajo që ti shkaktove sot!”, shkruhet në rrjetet sociale nga vëllai i viktimës.

Artikulli paraprakTemperaturat do të rriten! Termometri në ditën e parë të gushtit shkon deri në 39°C
Artikulli tjetër“Jam e frikësuar”, Armina Mevlani bën deklaratën e papritur