Pritet tjetër rritje çmimi për bukën, paralajmërohet shtrenjtim i miellit

Çmimi i bukës mesa duket pritet që të ketë një tjetër rritje. Rritja e çmimeve të grurit po i kërcënon shqiptarët me shtrenjtimin e produktit më bazik, bukës. Në fund të verës, një pjesë e furrave të bukës aplikuan rritje të çmimit të produktit me 10 lekë. Një nga shkaqet që çuan në këtë rritje, sipas përfaqësuesve të këtyre bizneseve, ka qenë edhe rritja e çmimit të miellit. Në fakt, shifrat e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, tregojnë se duke filluar nga tremujori i fundit i vitit të kaluar është shënuar rritje e ndjeshme e çmimit mesatar të grurit dhe miellit të importuar. Ndërkohë, prodhuesit shprehen se kanë rritur çmimet, por faktor i rritjes së çmimit të bukës nuk ka qenë vetëm mielli.

Advertisements

Roland Hysa, president i “Miell Tirana”, thotë për revistën “Monitor” se që nga muaji gusht, çmimet e miellit për furrat e bukës janë rritur me 10%, për shkak të shtrenjtimit të grurit. Duke parë tendencën e çmimit të grurit në tregjet ndërkombëtare, një rritje e mëtejshme duket se do të jetë e pashmangshme.

Më datë 7 tetor, çmimi CIF për një ton grurë të importuar në Shqipëri ishte 365 USD, me një rritje prej më shumë se 45% që nga fundi i muajit gusht. Ndërkohë, Adi Haxhiymeri, administrator i kompanisë “Bloja”, thotë se me këtë ecuri, edhe rritja e çmimeve të miellit është e pashmangshme.

Advertisements

Ai parashikon një rritje çmimi të produktit të miellit deri në 12% brenda këtij viti. “Unë do të thosha që për miellin e zakonshëm të bukës, çmimi ynë i shitjes për furrat mund të arrijë deri në 65 lekë/kg, nga 58-60 lekë për kg që është aktualisht. Parashikoj një rritje çmimi të produktit të miellit deri në 12% brenda këtij viti. Këto janë projeksione të përafërta sigurisht, por tendenca duket kjo, nëse rritja e çmimit të grurit nuk ndalon. Problem nuk është vetëm lënda e parë bazë. Po shtrenjtohen edhe artikuj të tjerë ndihmës. Është rritur çmimi i paletave. Është rritur çmimi i kartonit me 30-40%”, thotë ai.

Kërkohet ulja e TVSH-së nga prodhuesit

Ndërkohë, efekti i shtrenjtimit të produkteve të tjera ushqimore lidhet, në radhë të parë, me peshën që zë ushqimi në strukturën e shpenzimeve të familjeve. Shqipëria është vendi me peshën më të lartë të shpenzimeve për ushqim në Europë, me rreth 42% të shpenzimeve mesatare të familjeve.

Haxhiymeri nga kompania “Bloja” thotë se për ekonomitë ku ushqimi zë peshë të lartë në strukturën e shpenzimeve është e vështirë që efekti i shtrenjtimit të tyre të asimilohet pa ndërhyrje nga qeveria. “Kemi një problem: raporti që zënë taksat ndaj prodhimit kombëtar te ne është relativisht i ulët dhe nuk ka shumë hapësira për ulje.

Shtrohet çështja nëse këtë valë shtrenjtimesh mund ta lëmë të përthithet pa ndërhyrje direkte të qeverisë dhe problemin t’ua lësh mekanizmave të ekonomisë së tregut”, tha ai. Sipas Haxhiymeri, mënyrat si mund të ndihmojë shteti për të zbutur krizën e shtrenjtimit të grurit janë disa. “Një variant është që të prekësh TVSH-në. Sigurisht, ka mendime që kjo masë nuk është efikase, sepse edhe kur ulet TVSH-ja, çmimet nuk ulen, por në këtë rast, mund të veprohet me një kontroll rigoroz mbi bizneset për të mos pasur abuzime, duke qenë se po flasim për produkte të veçanta”, tha ai.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakNjihuni me horoskopin javor nga Paolo Fox për datat 18 deri në 24 Tetor 2021
Artikulli tjetërI fundit! Nis keq dita, X5 me targa italiane merr para 4 automjete të tjera