“Grup kriminal dhe trafik kokaine në BE”, Apeli lë në fuqi vendimin ndaj Erzen Breçanit, Dedan Gjonit dhe dy të arrestuarve të tjerë

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi masën e arrestit për: Besmir Murati, Bujar Ajeti, Dedaj Gjoni dhe Erzen Breçani, të akuzuar për grup kriminal dhe trafik kokaine nga Amerika Latine në BE.

Advertisements

KOMUNIKIM PËR MEDIAN

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 04.01.2024, ora 09:00, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 61 akti, datë 26.12.2023 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personave nën hetim: B.M., B.A., D.Gj. dhe E.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 128, datë 23.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin nr. 128, datë 23.11.2023, të kësaj gjykate”që ka disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal,dhe vendosi:

Advertisements

1. Miratimin e vendimit nr. 124, datë 17.11.2023, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin nr. 128, datë 23.11.2023, të kësaj gjykate;

2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.

HETIMET DHE OPERACIONI I NËNTORIT 2023

Zbërthimi i aplikacionit SKY ECC çoi në goditjen e një grupi kriminal që rezulton të jetë i përfshirë në trafiqe të drogës nga Amerika Latine në Evropë, si dhe në ngjarje kriminale të ndodhura në Shqipëri pjesë e së cilës dyshohen se janë zyrtarë të policisë dhe ish zyrtarë.

Nga 11 persona për të cilët ishin lëshuar urdhra arresti, u ekzekutuan 5 prej tyre, ndërsa të tjerët rezultojnë të jenë jashtë Shqipërisë.

Në pranga si anëtarë të dyshuar të këtij grupi ranë ish-nëndrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani; shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6, Dedan Gjoni dhe Bujar Germizi emër i njohur i botës së krimit në Kukësi.

Gjashtë persona janë shpallur në kërkim: Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit, biznesmeni Ervin Mata, vëllai i gruas së Eralbi Breçanit; Albert Prenga; Ismail Zeneli; Bajram Grabova e Artan Sulejmani.

Ndërkohë është caktuar masë sigurie detyrim me paraqitje për Jonida Babameto me detyrë oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit.

Ekzekutimi i 5 prej urdhër-arresteve u krye më 20 nëntor 2023, ndërsa një ditë më pas SPAK do të zbardhte dhe akuzat që rëndojnë mbi ta.

Në njoftimin në fjalë, SPAK-u informoi se ata ishin në hetim në kuadër të një procedimi penal të regjistruar më 28 prill 2023 nga SPAK në bashkëpunim intensiv me Eurojust, Europol dhe agjencitë ligjzbatuese holandeze, belge, gjermane, braziliane, kolumbiane dhe franceze lidhur me disa shtetas shqiptarë të përfshirë në aktivitete kriminale në Shqipëri, në Amerikën e Jugut si dhe në disa vende të tjera në Evropë.

Po ashtu është hetuar dhe lidhur me disa ngjarje kriminale të mëparshme të ndodhura në Shqipëri”

Sipas SPAK-ut, grupi kriminal dyshohet se ka lidhje me disa episode të sekuestrimit të trafikimit të lëndëve narkotike në Holandë, Brazili, Kolumbi, Spanjë si dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian si dhe sigurimin e kushteve për vrasjen e dy shtetasve në Shqipërisë si dhe raste të pastrimit të parave.

Bëhet fjalë për 4 raste sekuestrimi droge

– Sekuestrimi i sasisë prej 446 kg kokainë në Hollandë në datën 05.01.2021;

– Sekuestrimi i sasisë prej 69 kg kokainë në Brazil në datën 18.02.2021;

– Sekuestrimi i 166 kg marijuanë në Erwitte, e nisur nga Spanja për në Gjermani;

– Sekuestrimi i një sasie prej 250 kg lëndë narkotike kokainë, të nisur nga Brazili për në aeroportin e Frankfurt am Main, Gjermani.

“Po vazhdohet me dokumentimin e episodeve të tjera të trafikimit të lëndëve narkotike nga Brazili, Kolumbia, Ekuadori dhe vende të tjera të Amerikës Latine në drejtim të vendeve të Bashkimit Evropian”, informoi SPAK më 20 nëntor.

Arrestimi i Erzen Breçanit bashkë me Dedan Gjonin, shef i Krimeve te komisariati Nr. 6 në Tiranë u bë mbrëmjen e 20 nëntorit 2023.

Të dy janë arrestuar pranë stadiumit ‘Air Albania’, pasi kishin prerë bileta për të parë ndeshjen e kombëtares me Ishujt Faroe. Breçani dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe pastrim parash

Bujar Germizi, një emër i njohur i botës së krimit në Kukës, në bashkëpunim me shefin e Krimeve Dedan Gjoni dhe Besmir Mustati dyshohet se tentuan të vrisnin dy vëllezër që jetonin në Britaninë e Madhe, për shkak të prishjes së pazareve të drogës.

Ndërkohë, Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit, së cilës i është dhënë masa detyrim paraqitjeje, mësohet se gjatë kohës që punonte në Interpol u ka dhënë informacion nga sistemi për 2 vëllezërit që jetonin në Britani.

“Janë dokumentuar gjithashtu vepra penale të kryera nga zyrtarë publikë, punonjës të policisë së shtetit në nivel të lartë, të cilat cënonin funksionimin e rregullt të shtetit ligjor dhe sundimin e ligjit. Është dokumentuar përfshirja e punonjësve të policisë në grupe kriminale”, thuhet në njoftimin e SPAK.

GJKKO mori vendim për masën e sigurisë më 17 nëntor ndërsa u ekzekutua për 4 prej tyre më 20 nëntor 2023.

Gjithashtu janë dokumentuar pasuri, të cilat janë produkt i kësaj veprimtarie kriminale, për të cilat është kërkuar sekuestrimi i tyre. SPAK njofton se janë ushtruar kontrolle në banesa dhe ambiente të tjera, ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete, telefona, armë zjarri të ndryshme.

Të arrestuar

1-Erzen Breçani, ish-zv/drejtori i Sigurisë në Policinë e Tiranës

2-Dedan Gjoni, Shefi i Krimeve në Komisariatin numër 6

3-Bujar Ajezi (Gërmizi), emër i njohur i botës së krimit në Kukës

4 Besmir Murati

Masë ‘detyrim paraqitjeje’

5-Jonida Babameto, oficere e Drejtorisë së Kufirit dhe Emigracionit

Në kërkim

6- Ismail Zeneli

7-Ervin Mata – biznesmen

8-Eralbi Breçani, djali i Erzen Breçanit

9-Bajram Grabova

10-Artan Sulejmani

11-Albert Prenga

Akuzat e SPAK

-Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje

-Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit

-Prodhimi dhe shitja e narkotikeve, Trafikimi i narkotikëve

-Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale

-Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal

Artikulli paraprak“Janari muaji më i ftohtë i vitit”/ Meteorologia Lajda Porja zbulon çfarë pritet të ndodhë me motin në ditët në vijim
Artikulli tjetërDo trafikonte dy çanta me kanabis dhe armë zjarri drejt Maqedonisë së Veriut, arrestohet 51-vjeçari