Sylvinho e konsideron ‘finale’ ndaj Moldavisë: Nuk bëjmë llogari, hyjmë në fushë vetëm për fitore

Sot është dita e madhe e ndeshjes vendimtare ndaj Moldavisë. Prej orës 18:00, kuqezinjtë do të sfidojnë të parafundit në grup, por me shanse matematikore kualifikimi, me nevojën e një pike, e cila është aq e çmuar për shqiptarët, sa i kualifikon në finalet e “Euro 2024”. Trajneri Sylvinho foli për rëndësinë e kësaj sfide në konferencën për shtyp, ndërsa vlerësoi maksimalisht ekipin kundërshtar.

Advertisements

A mund të na favorizojë fakti që Moldavia do të luajë vetëm për fitore?

Në futboll gjithmonë luhet vetëm për fitore, nëse dy skuadra barazojnë do të thotë që asnjë ekip nuk ishte i aftë për të fituar dhe barazimin unë e shoh si pasojë e lojës, jo si një objektiv për skuadrën kur hyn në fushë. Nuk mund të menaxhohet ndeshja në këtë mënyrë duke menduar që na duhet një pikë dhe shkojmë për barazim. Përkundrazi, si ne, po edhe Moldavia do të synojmë për të marrë tre pikët në këtë sfidë, jo barazimin. Sigurisht është një finale për ne dhe karikimi i skuadrës është i duhuri. Moldavia është një ekip shumë i fortë në shtëpi, ka mundur Poloninë, ka barazuar me Çekinë , kështu që do të jetë një ndeshje e vështirë.

Advertisements

Sa e rrezikshme do të ishte për ne nëse nuk i mbyllim sot llogaritë e kualifikimit për në Europian?

Jemi të ndërgjegjshëm që kemi një finale para, një ndeshje shumë vendimtare dhe të rëndësishme. Edhe lojtarët e reflektojnë seriozitetin dhe kjo është diçka pozitive. Janë të ndërgjegjshëm për faktin që s’ka mbaruar asgjë akoma sa i përket kualifikimit. Kemi bërë një ndeshje shumë të mirë në shtëpi ndaj Çekisë dhe jemi përgatitur për finalen që kemi këtu. Nuk besoj se ka ndryshim sa i përket forcës që kemi treguar në këto ndeshje. Luajmë ndaj Moldavisë, një kundërshtar shumë i fortë, ekip i mirë organizuar.

Vendi i parë apo inteligjencë taktike?

Luajmë ndaj Moldavisë, një ekip shumë i fortë që nuk ka pësuar asnjë humbje në shtëpi. Asnjëra skuadër nuk do të futet në fushë për barazim, në qoftë se do të ndodhë një barazim do të jetë thjesht pasojë e ndeshjes. Përsa i përket të ardhmes nuk mendoj asgjë, jam i fokusuar vetëm te ndeshja me Moldavinë në këto momente. Nuk mendoj se do të ketë ndonjë ndryshim strategjie, do të kemi një kundërshtar shumë fizik, i aftë në lojën në ajër, në goditjet standarte shumë i rrezikshëm. Ne nga ana tjetër jemi një skuadër që nisemi mirë në kundërsulm dhe kemi lojtarë shumë të mirë në fazën ofensive. Në këtë drejtim nuk besoj se do të ketë ndonjë ndryshim, duhet të jemi shumë të kujdesshëm përsa i përket kundërshtarit që kemi përballë sepse siç e kemi thënë kemi një finale për të luajtur nesër dhe e dimë shumë mirë rëndësinë e kësaj ndeshje dhe mendojmë 100% vetëm për Moldavinë. Kemi bërë një rrugëtim shumë të mirë por duhet fituar edhe kjo ndeshje.

Si është gjendja e lojtarëve?

Puna në një Kombëtare është e vështirë. Një trajner duhet të presë deri në moment të fundit për të shpallur listën, pasi ka gjithmonë surpriza. Mund të ketë lojtarë që dëmtohen apo probleme fizike, siç na ndodhi me Ajetin, i cili për fat të keq nuk ia doli dot të ishte me skuadrën, por ne morëm Jon Mersinaj. Jemi ok me këtë listë, pasi kemi lojtarët e duhur. Mendoj vetëm për këta lojtarë që kam në dispozicion. 60-70% e këtij grupi kanë luajtur thuajse të gjitha ndeshjet deri më tani dhe kanë bërë shumë mirë. Jemi të kënaqur me gjendjen e lojtarëve dhe nuk kemi probleme të tjera.

Si ndihet skuadra në aspektin psikologjik, pasi në dy ndeshjet e fundit duhet vetëm një pikë?

Në futboll të gjitha skuadrat luajnë për të fituar dhe nuk mund të hysh në lojë duke bërë llogari. Barazimi do të ishte thjesht një pasojë e 90 minutave të lojës që skuadrat prodhojnë në fushë. Ekipin e kam parë në formë të mirë, situata është e qetë, lojtarët po punojnë me seriozitet. Më vjen mirë të kuptoj prej tyre që janë të ndërgjegjshëm dhe që e kanë kuptuar se asgjë nuk ka mbaruar akoma, kështu që nesër të dyja ekipet do të hynë për fitore.

Shqipëria, surpriza e grupit dhe realitet. Avantazh për ne?

Avantazhi që kemi ne është që jemi në këtë pikë të garës dhe jemi në lojë për t’u kualifikuar. Por, që kur ka nisur fushata kualifikuese jam shprehur që kemi një grup shumë të vështirë përpara. Dhe objektivi ishte që të vinim në nëntor në këto kushte dhe realisht ne jemi në një moment të mirë. Jemi në një grup ku katër skuadra janë në lojë për t’u kualifikuar. Avantazhi ynë është fakti që ne jemi më mirë se kundershtarët në renditje por duhet të kemi parasysh që s’ka mbaruar ende asgjë dhe kemi pikë të tjera për të fituar që na duhen.

Artikulli paraprakShkatërrohet organizata e trafikut të drogës në Itali, drejtohej nga familja shqiptare(Emrat)
Artikulli tjetërPo pinte kafe i armatosur, 37-vjeçarin e arrestojnë në lokal pas telefonatës “spiune”