Sigurohet rehabilitimi i 3-vjeçares që i theu këmbën edukatorja

Mesditën e së dielës, Gjykata dha masën e arrestit me burg për edukatoren e kopshtit “Stinët”, Majlinda Dehima. Ngjarja e bërë publike një javë më parë në emisionin “Stop” tronditi opinionin publik, që si rrallëherë u ngrit dhe në protesta.

Advertisements

U desh publikimi në “Stop”, që të nesërmen e ngjarjes, Ministria e Arsimit të deklaronte ngritjen e një Task Force, që do të monitoronte në terren situatën e kopshteve në vend. Sot Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu, doli para mediave, për të bërë publik rezultatin e këtij inspektimi, që nuk kërkoi më shumë, se disa ditë kohë.

Nga 90 kopshte, rezultoi, se 8 ishin të palicencuar dhe dy kopshteve u ishte refuzuar licenca.

Advertisements

Klinika Fizioterapike Pediatrike “Jica”, pas transmetimit tonë, ka ofruar ndihmë për të rehabilituar vajzën e vogël pa pagesë.

“Nga momenti që pamë tek emisioni “Stop” rastin e vogëlushes direkt u prekëm dhe kemi dëshirë t’i mundësojmë komplet rehabilitimin fizio-terapuetik pas traumës. Normalisht që do fitojmë goxha dhe motorikën dhe forcimin muskular sepse një frakturë e tillë do sjellë dhe atrofizime në pjesën muskulare. Kështu do punojmë gradualisht çdo pjesë e trupit sidomos nga pjesa e këmbëve, gjymtyrëve të poshtëm, legenit, komplet. Ecja do punohet shumë. Kam 13 vite eksperiencë, punoj me fëmijë dhe do mundohemi t’i mundësojmë komplet rehabilitimin me metoda, me ushtrime dhe të arrijë 100% këtë rehabilitim”, tha Maria Jica.

Xhevid Hysenaj, pronari i AlbKalustyan shpk, i ka ardhur në ndihmë me 2 mijë Euro familjes së vajzës së dëmtuar në kopshtin privat Stinët.

“Ne kemi fëmijë vetë dhe ishim shumë të prekur. Përderisa i ati punon dy punë për të mbajtur familjen që e falenderoj nga zemra atë njeri që punon me përkushtim për familjen e tij, mendova që një kontribut modest, duke patur mundësitë të eksportit, normalisht biznesi jep para, nuk është që jemi në pikën e hallit pavarësisht nga problemet që ka patur. Ishte një dhuratë modeste për një engjëll të vogël që i uroj shërim të shpejtë dhe i uroj që mos të ndodhin me kopshtet dhe dhunës duhet t’i themi “Stop””, tha Hysenaj.

Paratë iu dërguan menjëherë nga gazetari i emisionit “Stop”, babai të vajzës.

“Unë e falenderoj shumë zotërinë. Nuk kam fjalë për gjithë popullin, për këtë zotëri dhe shumë njerëz që mund të jenë anonimë, por kanë qenë në ndihmën time. Kuptova shumë gjëra me këtë rast se ka dhe njerëz që të duan të mirën dhe unë përzemërsisht nga vajza ime, familja ime dhe unë personalisht ju falenderoj shumë. Zoti ju dhëntë shnet tek fëmijët tuaj, familjet tuaja dhe nuk di çfarë me ju thënë, faleminderit shumë nga ana juaj”, tha ai.

Redaksia e “Stop” hapi një llogari GoFundMe në emër të së ëmës së të miturës. Tv Klan

Artikulli paraprak‘Ik, mos më çaj tra*in’! Avokati i vjedh miliona klientes dhe e padit
Artikulli tjetër“Kapo e grupit, shqiptar”- Trafikoi mbi 2 tonë kokainë, belgu: Është një organizatë e madhe, s’flas dot, më rrezikohet familja! Pasuritë që iu sekuestruan në vendin tonë