Rama pa plan/ Lajmëron krizën energjitike dhe i hap rrugë rritjes “marramendëse” të çmimeve

“Nga lufta vijmë e në luftra shkojmë” qe motivi nga “Kënga e ushtarëve të vjetër” të Kadaresë, ku kryeministri Edi Rama gjeti fjalët e duhura për të njoftuar fatkeqësinë e radhës; përpara na pret një dimër i vështirë, një krizë energjitike, me pasoja të rënda në xhepat e secilit për shkak të rritjes së çmimeve.

Advertisements

I veshur me xhaketë të zezë, pas një podiumi akoma më të zi dhe me fytyrën e ngrysur në sfondin e dritave të zbehta, Rama u duk që në nisje të konferencës që nuk kishte asgjë të mirë për të lajmëruar mesditën e kësaj të diele.

“Nuk është as tërmet, as virus, as përmbytje dhe lavdi Zotit nuk kërcënon jetë njerëzish. Por në aspektin ekonomik e social ka një energji negative që mund të ketë efekte gjithaq tronditëse, mbi jetën e familjeve, bizneseve, shoqërisë” tha kryeministri, duke paralajmëruar rritjen e çmimeve të naftës, gazit dhe energjisë elektrike dhe më pas efektet zinxhir në ekonomi, tek çmimet e mallrave dhe shërbimet e tjera.

Advertisements

“Dukuria e rritjes marramendëse të çmimit të gazit e të karbonit në të gjitha tregjet ndërkombëtare, si edhe trendi i fortë i rritjes së çmimit të naftës, shoqëruar me një rritje të përgjithshme çmimesh të prodhimeve të konsumit të përditshëm, qëndrojnë sot para të gjitha vendeve, si siluetat e një ushtrie armike në horizontin e dimrit të vështirë që bota ka përpara” ishin fjalët e kryeministrit, i cili më pas bëri një analizë të krizës që ka përfshirë të gjithë botën.

Krizën globale, Rama e detajoi duke dhënë një seri shkaqesh. Së pari, tha se ishte rritja e kërkesës për energji si pjesë e rimëkëmbjes ekonomike pas pandemise. Së dyti ishin përpjekjet për frenimin e ndryshimeve klimatike. Së treti një seri eventesh të motit ekstrem, që kanë impaktuar si kërkesën, ashtu edhe ofertën për gaz dhe së katërti prodhimin e pakët të energjisë nga impiantet e erës në Europë.

Kryeministri kishte gjetur të dhëna për rritjen e çmimeve në tre vende. Në Britani ku sipas Ramës, do të rritet çmimi i energjisë për 15 milion familje. Në Itali, ku qytetarët janë njoftuar për rritje 40% të çmimit të energjisë dhe në Bullgari ku çmimet janë rritur 72% që nga fillimi i vitit.

Por megjithëse njoftoi se Shqipëria do të preket nga kriza, Rama nuk shpjegoi se çfarë masash do të marrë qeveria për zbutjen e efekteve negative në ekonomi. Kryeministri tha se do të mbrohen shtresat në nevojë, konsumatorët familjarë dhe bizneset e vogla, por nuk dha asnjë variant se si dhe sa do të rritet çmimi i energjisë në Shqipëri dhe si do të shmanget rëndimi i buxheteve familjare nga efekti zinxhir i krizës.

Në vend të një plani të detajuar për përballimin e kësaj krize, Rama u kap pas toneve patetike të fjalimit, duke u shprehur “i keni provat, se ne as nuk rrëzohemi as nuk dorëzohemi përballë sfidave të rënda të kësaj natyre”, apo “asnjë frikë, asnjë pasiguri, vetëm vendosmëri, durim e besim, se më e mira do të bëhet dhe Shqipëria do të vazhdojë të synojë majën që i kemi vënë vetes qëllim, në rrugëtimin sfidues të kësaj dekade të re ku sapo kemi hyrë”.

E ndërkohë që përballë krizës, qeveria pritej të dilte me një plan, një analizë mbi administrimin e pasojave negative nga ekspertë të ekonomisë, në këtë pjesë të fjalimit ishte cituar vargu nga poezia e Kadaresë, që thotë:

Alarmi prapë ja gjëmon
dhe horizonti është me re
nga lufta vijmë, në luftra shkojmë
dhe tjetër fat s`kërkojmë ne…

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakVajza e vogël feston ditëlindjen, kjo është foto e veçantë me të cilën e uron Blendi Fevziu
Artikulli tjetërKush është politikani shqiptar në skandalin e “Pandora Papers”?