Pamje SKANDALOZE/ Përgjysmimi i urbaneve, shihni si ngjishen njerëzit në dyert e autobusëve, presin me minuta të tëra në stacione

Transporti publik në Tiranë vijon të jetë një gangrenë e madhe, ku qytetarët duhet të presin me minuta të tëra në stacione dhe më pas me orë të tëra në trafik për të mbërritur në vendet e tyre të punës, apo për të dërguar fëmijët në shkolla.

Advertisements

Prej ditës së djeshme kompanitë e transportit publik po operojnë me gjysmën e flotave të tyre, ndërsa siç shihet dhe nga pamjet, kjo ka përkeqësuar situatën në stacione, dhe brenda urbaneve.

Njerëz që tentojnë të hipin në dyer, edhe pse urbanet janë të mbushur, ndërkohë që nuk ka asnjë ndërhyrje nga shteti për zgjidhjen e kësaj situate.

Advertisements

Duke folur për Fax News qytetarët shprehen se u duhet të qëndrojnë në stacione nga dy orë në ditë, ndërkohë që brenda urbaneve as nuk mund të flitet për respektimin e kushteve anticovid.

Njerëz pa maska, pa distancë, urbane me kapacitet të tejmbushur, është panorama më e zakonshme gjatë udhëtimeve me transportin publik në Tiranë.

Nën zë thuhet se e gjitha kjo po bëhet për të rritur më tej çmimin e biletave dhe aboneve, ndërkohë që qytetarët kanë gjithnjë e më pak alternativa për të udhëtuar.

Shumë prej tyre detyrohen që të dalin çdo ditë me mjete private, gjë e cila ndikon dukshëm në trafikun e kryeqytetit, ku çdo orar gjatë ditës duket se është kthyer në një ferr për shoferët.

Shoqata Kombëtare e Transportit kërkon plotësimin e 4 kërkesave financiare , si: Kompensimi i tarifës të biletës njëpërdorimshme 30 lekë/biletë; Kompensimi i biletës të pajtimit mujor, abone e përgjithshme në masën 600 lekë/ abone; Kompensim i biletës së pajtimit mujor abone linje, 600 lekë/abone; Kompensim të tarifës për biletën e studentit.

Kërkesat e tyre shoqata e transportit ia ka dërguar edhe kryeministrit Edi Rama, ndërkohë që Bashkia e Tiranës në një reagim të shkurtër tha se po flet me kompanitë e transportit për të gjetur një zgjidhje.

Bashkohuni edhe në grup, mund të ndani në çdo kohë denoncimet dhe çdo ankesë me të gjithë ndjekësit e tjerë!

SHQIPERIA IME GRUP

Artikulli paraprakSkandal/ Ndodhej nën akuzë për falsifikim dokumentash, por e emërojnë DREJTOR të Paraburgimit 313 në Tiranë
Artikulli tjetër“Mendova se ma rrëmbyen”, Paloma rrëfen situatën tronditëse që ka përjetuar për vajzën e saj