Ngjarja e rëndë e 4 ditëve më parë (15 Dhjetor) në burgun e sigurisë së lartë në Peqin nuk është zbardhur ende.
Advertisements
Policia, Prokuroria, Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve, Drejtoria e Burgjeve, Ministria e Drejtësisë dhe ajo e Brendshme ende nuk kanë hedhur dritë mbi dy pika mjaft të errëta. Bëhet fjalë për shkakun e vrasjes dhe për mënyrën se si ka hyrë pistoleta në ambientet e vuajtjes së dënimit me një prej sigurive më të mëdha në vendin tonë.
Sokol Mjacaj, autori i ekzekutimit të Arben Lleshit, ka refuzuar të pendohet dhe të bëhet dëshmitar, ndërkohë që për versionin e hyrjes së armës në burg nuk ka dhënë ende dëshmi. Shkakun se përse e qëlloi Lleshin herë e lidh me faktin se ai nuk donte ta linte të kthehej në sektorin B të vuajtjes së dënimit dhe herë thotë se: “E vrava ngaqë pashë në televizor se Ulsi Manja do më transferonte në 41 bis”!
Advertisements
Skandali i vrasjes në burgun e Peqinit, prej dy ditësh lidhet jo vetëm me neglizhencën e ekipit që ka për detyrë ushtrimin e kontrolleve, në dalje në ambientet e ajrosjes dhe në kthimin e të burgosurve në qeli. Por informacionet që kanë mbërritur nga ky burg tregojnë se në fakt, aty nuk kanë punuar jo vetëm një pjesë e mirë e kamerave, por as skanerët.
Sërish nuk ka asnjë reagim në lidhje me gjithçka ka ndodhur në ato ambiente, përveç faktit që situata u normalizua në momentin kur në burg është shfaqur drejtori i burgut. Të dhënat tregojnë se në fakt policia dhe prokuroria janë lajmëruar shumë vonë, duke çuar në pranga përpos 11 personave-punonjës dhe drejtues të këtij burgu, edhe specialistin e informacionit.
Prokuroria e Elbasanit, që ka në duar çështjen, ka dalë me një reagim zyrtar ditën e shtunë ku ka bërë me dije se 12 personat e arrestuar, të gjithë akuzohen për shpërdorim të detyrës, që lidhen në fakt me veprimet apo mosveprimet e ditës së ngjarjes. Por Prokuroria e Elbasanit, në atë listim emrash dhe nenesh nuk shpjegon në asnjë rresht se kur dhe si ka hyrë arma e zjarrit në burgun e sigurisë së lartë, kush e ka futur, kur ka ra në duart e Sokol Mjaçajt dhe kush e ka shtyrë vrasësin e turistëve çekë të vrasë Arben Lleshin.
Ditën e sotme, pritet të dalin para Gjykatës së Elbasanit të gjithë të arrestuarit, për të cilët mësohet se Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar arrest me burg, ndërkohë që ende vijohet të kërkohen hollësi nga ekzekutuesi, i cili sipas informacioneve policore nuk ka dhënë asnjë detaj nga ajo çfarë fshihet pas krimit të rëndë.
HETIMET
Skandali që solli ekzekutimin me armë të një të dënuari me burgim të përjetshëm brenda ambienteve të vuajtjes së dënimit thellohet në bazë të të dhënave që vijnë nga ky burg. Sipas tyre, skanerët e kontrollit për armë e celularë nuk punojnë në hyrje të burgut, po ashtu edhe kamerat e vëzhgimit janë jashtë funksionit.
Sokol Mjaçaj iu ka thënë grupit hetimor se ai e mbante armën me vete, madje kishte dalë edhe në ajrosje me të, duke lënë të kuptohet se prej 20 ditësh që ai pretendon që e ka mbajtur armën në qeli nuk është kontrolluar as në dalje dhe as në hyrje në qeli. Hetimet e Prokurorisë së Elbasanit thonë se kanë zbuluar se ky ka qenë terreni që shfrytëzoi i dënuari përjetë për ekzekutimin e Arben Lleshit.
Ndonëse ende nuk dihet se çfarë kanë deklaruar të arrestuarit për shpërdorim detyre, ajo që bie në sy është fakti që janë arrestuar të gjithë personat përgjegjës që kanë qenë ditën e ngjarjes të ngarkuar me detyra konkrete për të realizuar kontrollet qoftë edhe fizike mbi të dënuarit në momentet kur kanë dalë dhe kanë hyrë në qelitë e tyre.
PROBLEMET NË BURGUN E PEQINIT
Shqetësimet për sigurinë në burgun e Peqinit kanë nisur që prej muajit tetor, edhe pse autoritetet e asaj godine u përpoqën që asgjë mos të dalë jashtë atyre dyerve. Por pak ditë më parë, një i burgosur nisi letra në media për të treguar situatën kaotike në atë vend të vuajtjes së dënimit, ndërkohë që vetë ministri i Drejtësisë lajmëronte lëvizjet e të dënuarve nga vendet e vuajtjes së dënimit me siguri të lartë në atë të sistemit “41 bis”, duke habitur jo pak opinionin publik për informacionet që dilnin nga ministria për këto transferime.
Transferimi i parë që u lajmërua nga vetë Manja kishte të bënte me transferimin e Ilir Kupës, i cili u tha se do të shkonte për një kohë të gjatë në këtë burg të sigurisë së lartë dhe të drejtave të kufizuara.
Dhe i dyti në lajmërimet e kësaj ministrie ishte pikërisht emri i Sokol Mjaçajt, të riut nga Shkodra i cili vuante dënimin në burgun e Peqinit për vrasjen e dy turistëve çekë. Por ditën e djeshme, u bë me dije se në fakt, në burgun e Burrelit ishte kapur një celular që pretendohej të futej brenda qelive. Ishte në një frigorifer dhe u bllokua.
Lëvizjet në burgun e Peqinit përkojnë me kohën kur Mjacaj pretendon që i erdhi arma
Rreth tri javë më parë, drejtori i mëparshëm i burgut është shkarkuar dhe në vend të tij është emëruar Kamber Hoxha, që drejtonte institucionin edhe ditën e ngjarjes së rëndë, më 15 dhjetor, kur i dënuari vrau brenda në qeli Arben Lleshin dhe plagosi shokun e tij të qelisë, Indrit Shaqen.
Dyshohet se në kohën e këtyre ndryshimeve, arma e përdorur në vrasje të jetë futur brenda burgut në rrethana që pritet të zbardhen nga Prokuroria e Elbasanit, që ka në duar çështjen. Dëshmitari kryesor, Sokol Mjacaj, njëherësh autor i ngjarjes, ka refuzuar bashkëpunimin me hetuesit edhe pse i është ofruar mundësia gjatë marrjes në pyetje. Dyshimet kryesore janë se futja e saj është realizuar me ushqime nga zona e skanerit, kur pajisja nuk punonte.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, deklarimeve të marra, pyetjes së personit nën hetim Sokol Mjaçaj dhe akteve të administruara, arma e zjarrit është futur në IEVP Peqin dhe më pas është mbajtur në dhomë nga i dënuari Sokol Mjacaj për një kohë rreth 20 dite. Gjithashtu, kjo armë dyshohet të jetë mbajtur prej tij dhe në ambientet e përbashkëta në këtë burg. Prokuroria saktëson se punonjësit e shërbimit nuk kryen kontrollin fizik, në momentin e daljes së të dënuarit nga dhoma për ajrim dhe kthimin nga ajrimi për në dhomë në ditën e ngjarjes dhe në ditët e mëparshme.
Sokol Mjaçaj ka qenë edhe më herët në sistemin 41 BIS, dhe transferimi i tij nga ai sistem në repartin B të sigurisë së lartë ku ndodhi vrasja, është bërë sërish pa asnjë kontroll, duke ngritur kështu dyshimet se ai e ka mbajtur armën edhe në atë sistem. Jo zyrtarisht, mësohet se Mjaçaj ka qenë në godinën A më parë, por me kërkesën e tij është transferuar në sektorin B, ku vuante dënimin Arben Lleshi të cilin e qëlloi me armë në qeli.
Gjatë transferimit nga ambientet e godinës të emërtuar si “41 Bis”, ku ka qenë i akomoduar për në godinën B të sigurisë së lartë ku është akomoduar së fundmi i dënuari Sokol Mjaça rezulton se nuk është kryer procedura standarde e kontrollit fizik dhe të sendeve personale si parashikon skema e sigurisë.