Berisha drejt arrestimit, Gjekmarkaj: U shkel Kushtetuta e vendit, helm që mund të fundosë ëndrrat për një drejtësi të re

Deputeti i PD Agron Gjerkmarkaj, e konsideron shkelje të Kushtetutës miratimin me 75 vota pro të kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Dje, me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se ai nuk është mbi ligjin, por as nën të.“Ajo që ndodh me Sali Berishën nuk më lë indiferent. E përcjell me keqardhje njerëzore, por edhe për atë që ai përfaqëson në historinë bashkëkohore të vendit tonë.

Advertisements

Nuk kam ëndërruar për asnjë çast, si ndokush që gjithçka pameritueshëm ka marrë nga ai dhe uron rrënimin e tij përtej çdo qëndrimi politik që kam mbajtur e kam në koherencë me veten. Një gjë ra në sy gjatë kësaj ngjarjeje, e them këtë pa pretenduar monopolin e drejtësisë. Kushtetuta e vendit u shkel në nenin e saj nr. 73 dhe u krijua një precedent që la shije gjuetie mbi Sali Berishën, i cili përfaqëson pjesën më të madhe të opozitës.

Ai nuk është mbi ligjin, por as nën të nuk duhet të futet me aksion politik. Pritëm që në mbledhjen e këshillit të mandateve të paraqiteshin prova ndaj tij, por ato nuk i pamë. Dikur kjo mazhorancë kërkonte prova dhe u nxirrte sytë prokurorëve për Saimir Tahirin.

Advertisements

Dy standardet janë një standard triumf i politikës mbi drejtësinë, helm ky, që mund të fundosë ëndrrat për një drejtësi të re”, tha ai. Gjekmarkaj theksoi se një vend pa opozitë është vend pa garanci. “Goditja ndaj tij nuk është e barabartë me asnjë goditje ish-ministri, nëse dikush kërkon të ndërtojë paralelizma. Një vend pa opozitë apo me atë të nëpërkëmbur, të shtypur nga thundra gardistësh, është vend pa garanci dhe, si i tillë, pa demokraci, është regres. Një vend ku të votuar nga populli opozitar përdoren nga pushteti, është një vend në krizë të thellë etike, aq shumë të tillë sa propozohen bash nga këta, ligje që opozita të dënohet me burg nëse bën denoncime. Nëse opozita nuk ia del e vetme, shoqëria duhet ta ndihmojë atë ose një ditë do të jetë ajo e vetmuar.

Të zgërdhihesh sot me dobësitë e opozitës është justifikim ndaj mungesës së forcës për ta parë realitetin në sy. Se çfarë ishte Shqipëria pa opozitë, e kemi të gjithë kujtimin, shenjat, gjurmët në sjellje, mendësi , në trupin e atdheut kudo. Sekush është në të drejtën e vetë ta gjykojë opozitën, ta braktisë, t’i bashkohet po kaq njerëzore të kesh frikë dhe, në vend të përballjes, të zgjedhësh konfrontimin, por secili, së paku para pasqyrës së ndërgjegjes, t’ia pranojë vetes që tkurrja, ikja, frika nuk janë virtyte, nuk janë vlera”, tha ai.

Artikulli paraprakKëmbimi valutor/ Çfarë po ndodh sot me monedhat e huaja, ja me sa po blihen dhe shiten dollari dhe euro
Artikulli tjetërKuvendi i hoqi imunitetin Berishës për 8 minuta, GJKKO do vendosë për masën e sigurisë ndaj ish-kryeministrit. Çfarë parashikon procedura