Rafael Duamena ka lënë plot kujtime në jetën e tij, por një nga trashëgimitë më të mëdha mediatike që ka lënë pas, ka qenë një intervistë për median zvicerane “NZZ”, ku rrëfen gjithë jetën e tij. Intervista është kryer më datë 19 tetor 2022, para rreth një viti, vetëm dy muaj para se të firmoste me Egnatian.
Advertisements
TEK OLD BOJS – Një i moshuar hyn në fushën sportive Margelaker në Mutenz dhe i emocionuar, i pyet të gjithë: “A po luan Damiani?” Si përgjigje merr shikimet e të gjithëve dhe një heshtje totale. “Ai, Damiani, që luante me Zyrihun”, shton gjyshi, që e kishte fjalën pikërisht për Rafael Duamenën
Në fakt, po. Duamena ishte në fushë në atë 22 tetor të vitit të shkuar, në atë ndeshje të ligës së dytë ndërrajonale, ku luante për skuadrën e Old Bojs Bazel, në divizionin e pestë për nga rëndësia në Zvicër. Klasin e ganezit e shoqëronin tymueset e disa tifozëve adoleshentë, teksa në klub pyesin shumë shpesh se si një futbollist i tillë ka përfunduar në këtë skuadër.
Advertisements
FËMIJËRIA – Dhe Duamena nuk ngurron ta japë përgjigjen e tij, duke nisur që nga dita kur u prezantua me këtë botë. Gjithçka ka nisur në Nkaukau, një qytet i vogël në Gana. Rafaelin e rriti gjyshja e tij, teksa prindërit e pamartuar e braktisën. Kur u rrit, megjithëse ishte shumë vonë, ai i takoi sërish prindërit në momentin kur tashmë ishte bërë një lojtar i njohur në Gana dhe talenti i tij kishte marrë dhenë.
Në momentin kur takohet me prindërit, një nga pyetjet që i bëri nëna e tij ishte: “Sa vjeç je fiks?” Ajo nuk e mbante mend se kur e kishte lindur djalin e saj, e kishte harruar. Përtej së gjithash, Duamena në asnjë moment nuk zgjodhi t’i pyeste prindërit për arsyen që e lanë atë të rritej me gjyshen tij. Arsyeja? Ai nuk donte të shfaqej mosmirënjohës ndaj gjyshes.
Ajo ishte një grua shumë e rreptë dhe autoritare. Besimtare e devotshme e krishterë dhe drejtoreshë e shkollës së zonës ku jetonte. Për të plotësuar të ardhurat e familjes, gjyshja e lejon Rafaelin e vogël të shesë akullore të bëra vetë.
FUTBOLLISTI I VOGËL – Nëse djaloshi e dashuronte futbollin, gjyshja mendonte të kundërtën. Sipas saj, futbolli është humbje kohe dhe se shkolla duhet të jetë në plan të parë. Sa herë gjyshen e zë gjumi, Rafaeli fshehurazi, pa ndier, del nga shtëpia dhe zbret në lagje për të luajtur futboll me fëmijët e tjerë.
Pavarësisht dashurisë së madhe të djaloshit për futbollin, gjyshja nuk e ndryshon mendimin e saj për një kohë të gjatë. Pikërisht aty në rrugë, kur luante me çunat e lagjes, një zbulues talentesh e pikas dhe e fton për një provë ditën e hënë. Por gjyshja shfaqet sërish, me argumentin se të hënën djali duhet të jetë në shkollë dhe nuk ka provë futbolli. Rafaeli dëshpërohet dhe kërkon nga të afërm e familjarë të shumtë të futen në rolin e ndërmjetësuesit për gjyshen, mes tyre edhe djali i saj, Patrik.
Pas negociatash të gjata, “padroni” bindet. Kur ishte vetëm 14 vjeç, xhaxhai i dhuron Duamenës këpucët e para të futbollit, një palë “Diadora” të verdha. Ata do të jenë thesari i tij më i ruajtur, thotë Rafaeli: “Kur i mora, nuk munda të flija gjithë natën. Më duhej të sigurohesha që këpucët të ishin ende aty në mëngjes”.
Më pas Rafaeli pranohet në akademinë lokale të Red Bullit. Kontrata e tij e parë ishte 100 euro në muaj. “Si një fëmijë, nuk dija çfarë të bëja me aq shumë para”, shprehet ai.
NË EUROPË – Pas tri vitesh në akademinë lokale, Red Bulli e dërgoi djaloshin e talentuar në Austri, në akademinë e Salcburgut. Luante me ekipin U-18. Europa i duket magjepsëse, por edhe e çuditshme. Në përgjithësi i pëlqen, po e jeton ëndrrën. Ndërkohë, karriera po lëviz me hapa galopantë. Ai evidentohet menjëherë si një djalë shumë punëtor dhe i lehtë për t’u kujdesur për të.
Në vetëm një rast ai doli nga vetja dhe kreu një veprim të papërshtatshëm për personin që ai ishte. Kundër Shën Poltenit ai krijoi një incident në fushë dhe u ndëshkua me karton të kuq. Më pas u dëshmua qartë se ai u fye me terma racistë.
Ky ishte kartoni i parë, nga dy në total në karrierën e djaloshit. Para pak javësh ndëshkohej për një ndërhyrje ndaj Najdovskit në sfidën me Tiranën. Ishte e paqëllimshme.
Ish-sulmuesi u ndie në faj dhe u kujdes t’i kërkonte falje disa herë kapitenit të Tiranës, që gjithashtu u tregua profesionist. Kthehemi sërish pas, kur në janar të vitit 2017, Duamena zbarkoi në Zyrih dhe menjëherë e ndihmoi skuadrën të ngjitej në Superligën e Zvicrës.
Pas një forme shpërthyese, klubi i Brajtonit nga Premier Liga interesohet për të dhe arrin akord paraprak për ta blerë për më shumë se 15 milionë franga. Mesditën e 22 gushtit, Duamena merr një telefonatë, ku i thonë se duhej të paketonte gjërat e tij dhe të lëvizë shpejt.
Avioni për në Angli do të ngrihej në mbrëmje. Agjenti i tij, Filip Degen, publikon një “selfie” me Duamenën në “Instagram” dhe shkruan: “Le ta bëjmë realitet ëndrrën e fëmijërisë tënde”. Në Angli i kishin bërë gati një kontratë 4-vjeçare, që do ta kishte bërë menjëherë të pasur. Një ditë pasi mbërrin në Angli, transferimi dështon.