Në rubrikën “Komenti i Ditës”, Dritan Hila ka analizuar arrestimin Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Financave, Arlind Gjokutaj,i cili akuzohet për shpërdorim detyre pasi është përfshirë në një skemë mashtrimi.

Advertisements

Hila argumentoi se për sa kohë, deklaratat nuk vërtetojnë se ai është kapur në flagrancë me para, kjo përbën shkelje administrative ose “shpërdorim detyre”, por jo korrupsion.

“Arrestimi i Arlind Gjokutajt, bëri bujë se u arrestua menjëherë pasi patëm një skandal tjetër ku një pastruese i kishte vjedhur shtëpinë ish-shefes së kabinetit të Arben Ahmetaj. Arrestimi i Gjokutajt ka dritëhijet e veta sepse edhe vetë deklarata e bërë nga prokuroria është e mjegullt. Deklarata nuk sqaron që Gjokutaj ka marrë para nga kjo aferë, në këtë moment është e vështirë që ta futësh në korrupsion, kjo mund të jetë shkelje administrative, shpërdorim detyre, por nuk është korrupsion sepse nuk vërtetohet që ai ka marrë para, të paktën deklarata nuk e thotë këtë.

Mund të ketë marrë diferencën e parave ku flitet që paratë janë ndarë.

1/3 i ka marrë pretenduesit si pronarë ndërsa pjesa tjetër do të ndahet mes përmbaruesit dhe Sekretarit të Përgjithshëm.

Advertisements

Mund të ketë marrë përmbaruesi, por nuk vërtetohet që i ka marrë Sekretari i Përgjithshëm. Në këtë rast Sekretari i Përgjithshëm nga ana administrative nuk ka faj nëse nuk i janë dhënë para. Po, është shkelje administrative, mund të pushohet nga puna, mund të gjobitet, por është vështirë të shkohet deri në burg. Ka disa procedura për të vajtur deri aty.

E vërteta është që përgjegjësinë ligjore në këtë rast e kanë drejtorët dhe specialistët përkatës.

Sekretari i Përgjithshëm është vetëm firma ekzekutive. Mund të kërkonte sqarime, një memo. Nuk e di nëse ekziston ajo memo që i shpjegon në mënyrë të përmbledhur titullarit se për çfarë bëhet fjalë dhe pse ekziston kjo shkresë. Nëse këto kanë ekzistuar dhe ky e ka firmosur atëherë kemi të bëjmë me një shkelje administrative, paaftësi në punë, por është e vështirë të quhet vjedhje nëse nuk janë kapur para.

E dyta që të bën përshtypje është fakti që nuk është thirrur asnjëherë në pyetje Sekretari i Përgjithshëm, ai është një titullar i lartë që ka mbajtur disa funksione kyçe dhe në bazë të politikës penale është një personazh që nuk është vlerësuar negativisht në vendet e punës, përkundrazi flasin me pozitivitet për Gjokutajn si njeri që shikonte gjithmonë ligjin, sjelljen administrative. Pra bën politikë penale dhe është pak e ekzagjeruar që i janë hedhur prangat kur këtij nuk i janë gjetur para.

Normalisht duhej marrë në pyetje për të sqaruar gjithë situatën, të paktën kjo është ajo që mund të thuhet nga të gjitha deklaratat që kanë bërë prokurorët. Prokuroria e Përgjithshme është gjendur kohët e fundit në shigjetat e medies sepse po i kërkohet gjithçka që të bëj SPAK-u, ndërkohë kanë 2 vjet, 3 vjet që janë formatuar në të njëjtën kohë që është bërë SPAK-u.

Kanë një numër më të madh prokurorësh dhe nuk kanë bërë asnjë proces të bujshëm. Frika ime ishte që duke dashur të tregojnë që edhe ne po punojmë kanë marrë një rast dhe e kanë fryrë dhe në qoftë se do arrestohej një Specialist në ministri apo Drejtor drejtorie kjo nuk bën bujë, ama në qoftë se arreston Sekretarin e Përgjithshëm kjo do bënte bujë, madje më shumë bujë se sa një pastruese që ka vjedhur një drejtoreshë kabineti. Prandaj nëse vërtetë e kanë zënë në flagrancë me para është i justifikueshëm arrestimi, përndryshe kam frikë se është një tymnajë mediatike.”, u shpreh Hila.