Nga kafja e fundit, te ekzekutimi nga afër për shkak të mjetit të blinduar, kush kërkoi eleminimin e miqve të Martinajt?

Siç është bërë tashmë traditë pas çdo atentati mafioz me viktima, edhe mbrëmjen e djeshme në Milot, Policia ka shoqëruar dhjetra persona që mund të kenë pasur dijeni për vrasjen e Klisman Preçit, dhe plagosjen e Ylli Ibrahimit.

Advertisements

Burime bëjnë me dije se numri i të shoqëruarve është i lartë, megjithatë ata janë liruar shpejt, për shkak se nuk janë persona të dyshuar, po vetëm njerëz që mund të kenë dijeni, apo kanë parë skenën, për shkak se janë banorë në zonë.

Sa i takon dinamikës së ngjarjes, burime i thanë Fax Neës, se makina e autorëve ka qendruar për rreth 10 minuta në afërsi të pallatit ku ndodhi ngjarja, në pritje të shënjestrave të tyre. Prençi dhe Ibrahimi ishin fqinj mes tyre, dhe lëviznin së bashku.

Advertisements

Sapo makina e shënjestrave të tyre është afruar për të hyrë në rrugicën e pallatit, ata kanë qëlluar me breshëri plumbash në drejtim të makinës. Duke qenë se mjeti ka qenë i blinduar përpara, pasi viktima dhe i plagosuri iu kishin shpëtuar dy atentateve më herët, njëri prej autorëve është afruar te xhami dhe ka qëlluar në një distancë të afërt.

Përpara atentatit viktima dhe biznesmeni i plagosur kanë qenë në një lokal në qendër të Milotit, shumë pranë banesave të tyre, dhe duket se autorët i kanë mbajtur në vëzhgim, deri në kryerjen e atentatit.

Sa i takon makinës së përdorur nga autorët ajo ka qenë audi, dhe u gjet e djegur në një fshat të Krujës, disa minuta pas ngjarjes, ndërkohë që brenda saj u gjetën dhe armët kallashnikovë të shkrumbuara.

Autorët e kanë djegur mjetin në një parcelë të mbjellë me bimësi të lartë, në mënyrë që të linin pak gjurmë, dhe të kishin mundësi më pas për tu larguar prej aty.

Pavarësisht plumbave që mori në kraharor dhe këmbë, biznesmeni Ibrahimi është jashtë rrezikut për jetën, dhe pritet të merret dhe dëshmia e tij për të hedhur më shumë dritë rreth ngjarjes. Ibrahimi është mik me biznesmenin Vis Martinaj, kushëririn e të cilit, Brilantin, dhe dy shokët e tij, i ekzekutuan pak ditë më parë në mbikalimin e Fushë Krujës.

Vetë Martinaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar, pas operacionit Plumbi i Artë, që konsiston në dëshminë e të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani.

Ky i fundit ka deklaruar se Martinaj kishte dhënë një shumë prej 1 milionë eurosh për eleminimin e Endrit Dokles, numrit 2 të bandës së Durrësit, i cili edhe pse i dënuar me burgim të përjetshëm sot shijon lirinë.

Që pas masakrës së Bllokut, një sërë personash të afërt me Martinajn janë eleminuar, ndërkohë që policia është kthyer në një njësi që mbledh kufomat, dhe deklaron se ngre grupe hetimore për zbardhjen e ngjarjeve.

Artikulli paraprakÇmimet e larta, braktisen plazhet e jugut, shqiptarët dynden drejt Turqisë dhe Greqisë
Artikulli tjetërI nxehti saharian, temperaturat kapin vlerat ekstreme, ja sa do shënojë termometri. Ja çfarë pritet në ditët në vijim