I FUNDIT/ Në prani të ambasadorit të Ukrainës, ky është vendimi që merr Parlamenti Shqiptar kundër agresionit rus!

Pas gati tre orë diskutime, Parlamenti i Shqipërisë ka miratuar rezolutën për Ukrainën, e cila dënon ashpër agresionin rus. Në një seancë ku ishte i pranishëm edhe ambasadori i Ukrainës në vendin tonë, Volodymyr Shkurov, palët politike bën bashkë votat për rezolutën që i vjen në ndihmë Ukrainës dhe popullit të saj.

Advertisements

“Po ju njoh me votimin e rezolutës për Ukrainën, pro 123 deputetë, kundër asnjë dhe abstenim asnjë”, tha në përfundim të seancës kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla.

Deputetët nga të gjitha krahët politike dënuan sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës, duke e konsideruar liderin e saj Vladimir Putin si një diktator dhe Tiranë.

Advertisements

Kreu i PD-së, Lulzim Basha kujtoi sulmin e Serbisë ndaj Kosovës, duke thënë se “ne shqiptarët jemi kombi I fundit para kombit tuaj që e kemi ndjerë në palcë dhimbjet dhe vuajtjet, shkatërrimin dhe vdekjet, masakrat, gjenocidin që janë bërë nga makineria e luftës së Sllobodan Milloshevicit. Mbi bashkëkombësit tanë në Kosovë”.

Po ashtu, Basha deklaroi se PD ka propozuar sot Rezolutë për Kosovën ku i kërkon qeverisë shqiptare të përdorë të gjithë mjetet dhe mundësitë në dispozicion që Kosova të anëtarësohet sa më parë në organizatat partnere të Kombeve të Bashkuara dhe të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Çfarë përmban rezoluta

Duke u bazuar në Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit dhe dokumentat e OSBE-së që e kanë pasuar atë, Memorandumin e Budapestit të vitit 1994 mbi Garancitë e Sigurisë lidhur me aderimin e Ukrainës në Traktatin e Mos-përhapjes së Armëve Bërthamore, Marrëveshjet e Minskut të vitit 2014 dhe paketën e masave në zbatim të tyre të nënshkruar në vitin 2015; Duke shprehur shqetësim te thellë për faktin se vlerat e bashkëjetesës paqësore mes popujve, demokracia dhe të drejtat e njeriut, të promovuara në Evropë dhe në botë, pas Luftës së dytë Botërore, janë cënuar rendë nga agresioni ushtarak i Federatës Ruse kundër Ukrainës;

Në mbështetje të sovranitetit, tërësisë territoriale dhe zhvillimit demokratik të Ukrainës; Në mbështetje të plotë qendrimit të vendeve të tjera në të gjithë botën, që aspirojnë e mbrojnë vlerat demokratike, në përputhje të plotë me politikën e përbashkët të jashtme e të sigurisë të Bashkimit Evropian, përfshirë vendimet e Bashkimit Evropian për masa shtrënguese;

Në respekt dhe nën përgjegjësinë të rolit të Shqipërisë si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për periudhën 2022-2023;

Duke marrë në konsideratë rrezikun e ndikimit në rajonin tonë të agresionit rus në Ukrainë me pasojë demotivimin e perspektivës euroatlantike të rajonit për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë; Kuvendi i Republikës së Shqipërisë.

Dënon me forcë agresionin ushtarak rus në Ukrainë dhe shkeljen e rëndë nga ana e Federatës Ruse të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës, si një akt që dhunon rendin ndërkombëtar, duke shkelur hapur dhe në mënyrë flagrante Kartën e Kombeve të Bashkuara, Aktin Final të Helsinkit, Memorandumin e Budapestit, Marrëveshjet e Minskut, si dhe një sërë dokumentesh të tjerë ndërkombëtarë dhe dypalësh që Rusia ka firmosur me vullnet të lirë.

Nxit dhe mbështet veprimtarinë diplomatike dhe masat e marra nga qeveria shqiptare, në bashkërendim me aleatët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, në mbështetje të sovranitetit të Ukrainës dhe të parimeve të sigurisë evropiane dhe rendit global të marrëdhënieve midis shteteve.

Mbështet sanksionet ekonomike dhe masat diplomatike të ndërmara nga partnerët strategjikë ndaj Federatës Ruse, dhe ndihmën ushtarake dhe humanitare për Ukrainën dhe popullin e saj.

Bën thirrje për ndalimin e menjëhershëm të përdorimit të forcës nga Federata ruse në Ukrainë dhe për tërheqjen e forcave ushtarake ruse nga territori i Ukrainës sipas kufijve të njohur ndërkombëtarisht.

Dënon me forcë agresionin ushtarak rus ndaj Ukrainës, duke vlerësuar se aktet kundër civilëve të pafajshëm janë krime lufte dhe se shkaktarët e këtij agresioni duhet të përballen me Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë. Kuvendi i kërkon Qeverisë që:

Të vazhdojë angazhimin, në bashkërendim të ngushtë me të gjitha vendet aleate dhe partnere në NATO, BE, KS të OKB, OSBE, KiE, në rajonin e Ballkanit dhe me partnerë të tjerë, në mbështetje të sovranitetit dhe tërësisë territoriale të Ukrainës dhe të parimeve të së drejtës ndërkombëtare dhe të sigurisë evropiane;

Të forcojë me prioritet përpjekjet për integrimin evropian të vendit dhe rajonit si mbështetje e pazëvendësueshme për ruajtjen e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë.

Artikulli paraprakZbulohet ku është fshehur e dashura e Vladimir Putin bashkë me 4 fëmijët
Artikulli tjetërDo plasë lufta dhe mes Greqisë e Turqisë? Ja deklarata e fortë e mediave turke!